Kurti: Fotografia përçon mesazh përtej kufijve, kulturave e besimeve

  • A.P /
  • 19 August 2024 - 16:47
Kurti: Fotografia përçon mesazh përtej kufijve, kulturave e besimeve

Kryeministri Albin Kurti i publikoi disa fotografi, duke treguar në ditën ndërtkombëtare të fotografisë për rëndësinë që ajo ka, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Fotografia përçon mesazh përtej kufijve, kulturave e besimeve të ndryshme. Fuqinë e fotografisë e kuptojmë ne më së miri. Ishin fotografët që përmes fotografive dëshmuan para botës vuajtjet e maltretimet, vrasjet e masakrat mbi popullin shqiptar nga shteti i Serbisë. Po ashtu, ishin fotografët ata që kapën shumë momente gëzimi e fytyra të qeshura në Kosovën tonë të lirë”, shkroi Kurti.

Ai tha se “fotografët vazhdojnë të mbesin ata që prezantojnë para botës imazhet e njerëzve zemërgjerë e bujarë, mikpritjen dhe punën, vlerat dhe trashëgiminë tonë kulturore si dhe bukuritë e pafundme të natyrës magjepsëse të vendit tonë, përfshirë këtu dokumentimin e kafshëve të egra të cilat janë pasuri e paçmueshme”.

“Por, përveç këtyre ata sjellin imazhe ku pasqyrohen edhe sjelljet dhe vetitë jo të mira të shoqërisë sonë e sidomos ato që shkaktojnë dëm mjedisor. Imazhe këto që kanë synim të na ndërgjegjësojnë e të na bëjnë të kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe pasurive tona. Sot, në ditën ndërkombëtare të fotografisë, le t’i vlerësojmë fotografët pas objektivit dhe punën e tyre të palodhshme e shpeshherë edhe vullnetare. T’ua vlerësojmë përpjekjet, përkushtimin dhe rreziqet nëpër të cilat kalojnë që të zënë çastet më të rëndësishme për të gjithë ne”, shkroi Kurti.

(Kosova Sot Online)