Kurti: Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit
Kryeministri Albin Kurti sërish është deklaruar për hapjen e urës mbi lumin Ibër duke pohuar se “jemi vonuar sa i përket kësaj çështje”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha se ura është dashur të hapet para 25 viteve, atëherë kur është çliruar Kosova.
“Nuk është dashur të jetë e mbyllur kur u pavarësua Kosova para 16 viteve, ajo është dashur të jetë e hapur edhe para 8 viteve në bazë të marrëveshjes së Brukselit, planit të zbatimit. Kësisoj ne jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duhet të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë në të dy anët e lumit Ibër. Të kenë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni që ne nuk mund të themi se sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë vlejnë gjithandej Kosovës për të gjithë, përveç se në urën kryesore në lumin Ibër”, tha Kurti në një lidhje direkte nga Çikago për voa.
Kurti tutje tha se janë duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga partnerët ndërkombëtarë.
“Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet. Kurrë nuk kam pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit e lirinë e lëvizjes në njërën anë e paqen, sigurinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb për shqiptarët, për boshnjakët dhe për të gjithë pakicat. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë”.
Kryeministri u shpreh se nuk do të lejojnë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht derisa insistoi se ura duhet hapur.
“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit që e kemi ndarë së bashku me aleatët amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me serbët në veri të Kosovës, edhe në jug, me shqiptarët e komunën veriore e jugore. E kemi testuar qëndrueshmërinë e urës dhe po e bëjmë një dizajnim, zbukurim sepse duhet të kujdesemi për pamjen vizuele të kësaj ure. Duam që ta bëjmë sa më parë por as nuk do ti befasojmë partnerët në njërën anë e as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin e qëllimin e kemi të mirë. Është e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”.
(Kosova Sot Online)