Bajrami: Dikur i madh e i vogël në LVV garantonin për Nagip Krasniqin, derisa buxheti i shtetit dëmtohej

  • A.P /
  • 20 August 2024 - 15:29
Bajrami: Dikur i madh e i vogël në LVV garantonin për Nagip Krasniqin, derisa buxheti i shtetit dëmtohej

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit, ku ka thënë se atë dhe “të korruptuarit e pushtetit i ndëshkon ligji dhe vota”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo ka rikujtuar se si partia në pushtet mbronte Krasniqin, derisa ka thënë se këtë po vazhdojnë ta bëjnë edhe me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.

“A ju kujtohet kur prej Kryeministrit e poshtë i madh e i vogël në LVV garantonin për Nagip Krasniqin, derisa buxheti i shtetit dëmtohej me mbi 3,7 milionë euro. Zotria kishte vendosur që të tregtoj energji me një kompani të palicensuar në kundërshtim me Ligjin, në kundërshtim me ZRRE-në dhe në kundërshtim me zyrën ligjore të KEK-ut”.

Njëjtë siç e kanë mbrojtë Nagipin vazhdojnë ta mbrojnë Martin Berishajn, e derisa mbrojnë të korruptuarit e tyre me çdo çmim, tentojnë t’i kapin organet e drejtësisë. E pikërisht për këtë është tepër e rëndesishme që të ruhet me çdo kusht pavarësia e organeve të drejtësisë që të korruptuarit dhe kriminelët të dënohen pavarësisht sa të afërt janë ata me pushtetin – cilido qoftë ai pushtet, ka shkruar Bajrami.

Bajrami ka thënë se sipas Prokurorisë, vetëm në një rast për një kontratë të KEK’ut, buxheti i shtetit është dëmtuar mbi 3.7 milionë euro, e që thotë se Ministrat e Kryeministrit Albin Kurti deri tash kanë nënshkruar mbi 900 kontrata tjera sekrete në vlerë 240 milionë euro. Këto kontrata, sipas saj, janë burim i korrupsionit dhe se organet e hetuesisë duhet t’i hetojnë secilën prej këtyre kontratave.

(Kosova Sot Online)