Biserko: Serbia po bën çmos që ta parandalojë hapjen e urës, po keqpërdor serbët në veri përmes Listës Serbe
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se nuk ka asnjë arsye që të mos hapet ura mbi lumin Ibër për lëvizjen e lirë të automjeteve.
Ajo mes tjerash thotë se Serbia është duke bërë gjithçka për ta parandaluar hapjen e urës duke i keqpërdorur serbët në veri përmes Listës Serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për çështjen e urës mbi lumin Ibër.
Ai bëri me dije se ky proces nuk mund të zvarritet përjetësisht dhe se ura sipas tij duhet të hapet në koordinim me aleatet ndërkombëtarë.
Këta ta fundit kanë kundërshtuar idenë që ura të hapet në këtë fazë, pasi sipas tyre kjo mund nxis tensione të reja në pjesën veriore të vendit.
Mirëpo ka zëra edhe nga Beogradi që besojnë se ura në mbi lumin Ibër duhet të hapët për lëvizjen e lirë të automjeteve.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë se Serbia është duke bërë gjithçka për të parandaluar hapjen e urës në Mitrovicë.
“Ura e Ibrit do të duhej të hapej kohë më parë siç janë hapur tërësisht urat e tjera në Mitrovicë. Ura duhet të shërbejë si simbol komunikimi mes të dyja komuniteteve prandaj edhe duhet të hapet në mënyrë paqësore. Në anën tjetër Serbia po bënë gjithçka për ta parandaluar këtë proces duke e akuzuar Kosovën se po i diskriminon komunitetet dhe në veçanti serbët. Unë mendoj që serbët në veri janë shumë të lodhur dhe të frustruar nga sjellja e Beogradit. E kemi parë përgjatë këtyre viteve se Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi nuk ka punuar në interesin e qytetarëve serbë”, tha ajo për Tëvë1.
Biserko thotë se Lista Serbe ua ka bërë jetën më të vështirë serbëve në veri, andaj i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për komunitetin serb dhe rrjedhimisht ta largojnë ndikimin negativ të Beogradit mbi serbët e Kosovës.
“Tani serbët nuk janë të përfshirë në institucionet e Kosovës dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale për shkak të direktivave të Serbisë dhe tani ata janë më pak të integruar. Pra pluralizmi politik ne pjesën veriore të vendit ka vdekur për shkak të Listës Serbe. Në anën tjetër qeveria e Kosovës së bashku me komunitetin ndërkombëtar duhet të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar serbëve në Kosovë dhe për t’i larguar nga ndikimi i Beogradit. Ka ardhur koha që pas një kaosi të madh të normalizohet situata në veriun e Kosovës, sepse serbët me të vërtetë ndihen të lodhur”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga ShBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.
(Kosova Sot Online)