
Marrëveshja milionëshe, Osmani: Sa herë punojmë bashkë me SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt në emër të USAID-it nënshkruan marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh, përcjell “Kosova Sot Online”.
Pas nënshkrimit, Osmani në një konferencë të përbashkët për media me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier bëri thirrje për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Ajo tha se “secila nismë dhe secili sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe forcimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse, ka po ashtu gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kjo marrëveshje, Osmani tha se do të mbështesë “projekte të cilat synojnë shërbime më të mira për qytetarët tanë nga institucione llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes si dhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithpërfshirëse, demokratike dhe ekonomike”.
“Këto nisma të përbashkëta janë deklarim i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe një garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë punojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”, tha presidentja.