Zyrtari i NATO’s takon Vuçiqin, i bën thirrje që të ndihmojë të sigurohet llogaridhënie e plotë për Banjskën dhe sulmet ndaj KFOR’it

  • s.a /
  • 21 August 2024 - 13:08
Zyrtari i NATO’s takon Vuçiqin, i bën thirrje që të ndihmojë të sigurohet llogaridhënie e plotë për Banjskën dhe sulmet ndaj KFOR’it

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, pas Prishtinës ka shkuar në Beograd ku atje ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton "Kosova Sot Online ".

Siç njoftoi vetë Ruge në X, ai i ka bërë thirrje Vuçiqit që të ndihmojë në sigurimin e llogaridhënies së plotë për aktet e dhunës të majit dhe shtatorit në Kosovë.

“Ne diskutuam gjithashtu çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO i bën thirrje Serbisë për të ndihmuar në sigurimin e llogaridhënies së plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit 2023”.

Ruge shtoi se me Vuçiqin pati një shkëmbim për marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë, për të cilat tha se “shpresojmë t’i shohim të thelluara”.

Në maj të vitit 2023, dhjetëra ushtarë të KFOR-it u lënduan nga protestuesit e dhunshëm serbë që atëherë kundërshtuan vendosjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në komunat veriore. Disa prej ushtarëve të KFOR-it kanë humbur edhe gjymtyrët e tyre në këto përleshje me protestuesit serbë. Ndërkaq, në shtator të këtij viti ndodhi sulmi terrorist i Banjskës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Pjesëtarë të grupit terrorist kanë ikur në Serbi dhe asnjëri prej tyre nuk është vënë përballë drejtësisë.

Ruge dje në Prishtinë pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve pasi Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se është duke vazhduar me planin për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.