Latifi: Seminari për Gjuhën po merr formën e një akademie të përvitshme përkujtimore
Në Prishtinë është duke u mbajtur edicioni i 42-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ku pjesëmarrës janë Rreth 200 albanologë nga mbi 15 shtete të ndryshme. Seminari i sivjetmë shënon 50-vjetorin e themelimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Për këtë seminar ka hedhur kritika profesori Blerim Latifi, i cili tha se ka përshtypjen që “përherë e më shumë po merr formën e një akademie të përvitshme përkujtimore”.
“Kjo ka një shpjegim: prej kohësh mungojnë risitë e rëndësishme në studimet albanologjike. Kur mungojnë gjërat e reja, krejt çfarë mbetet është përkujtimi ritualistik i të kaluarës. Por çfarë shkaku qëndron pas këtij shterrimi të kërkimit albanologjik? Nuk ka më ndonjë interesim serioz nga studiues të rëndësishëm ndërkombëtarë për këtë lloj kërkimi. Kjo ka sjellë edhe krizën në departamentin e brendshëm të kërkimit albanologjik. Arsyeja është e qartë: prej kohës së Johann Georg von Hahn studiuesit shqiptarë kanë qenë të varur nga të gjeturat e studiuesve ndërkombëtarë. Kontributet kryesore në albanologji janë meritë e tyre”.
Ai thotë se faktorëve që “i kanë kontribuar krizës” u duhet shtuar edhe faktori politik.
Kosova ende nuk ia ka dalë të normalizohet pas shkatërrimit të plotë të saj gjatë viteve të sundimit të Milosheviqit dhe atyre të luftës, ndërsa Shqipëria, duke bërë përpjekje anarkike për të lënë pas trashëgiminë komuniste, në rrugë e sipër ka shkelmuar edhe kulturën kombëtare. Kriza në shkencë, thotë filozofi i shkencës Thomas Kuhn, shfaqet kur një paradigmë e vjetër shkencore nuk është në gjendje të ofrojë zgjidhje për problemet e reja që kanë dalë rrugës. Tejkalimi i krizës nënkupton lindjen e një paradigme të re që ofron konceptet dhe instrumentet e duhura metodologjike për ta kryer këtë punë. Nëse shkenca nuk e bën këtë zëvendësim paradigmash, ajo është e destinuar të vdesë. Si organizmi i gjallë që merr fund nga pafuqia për t’iu përshtatur ndryshimeve të biosferës”.
Latifi tha se në këtë pikëpamje studimeve albanologjike u mbeten dy rrugë përpara: paradigmat e reja për problemet e reja, aktuale të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ose muzeizimi.
(Kosova Sot Online)