William Burns do të takohet me presidenten Vjosa Osmani

  • A.P /
  • 22 August 2024 - 16:12
William Burns do të takohet me presidenten Vjosa Osmani

Shefi i CIA’së, William Burns, ka arritur në objektin e Presidencës së Kosovës, pak minuta më parë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Burns pritet të takohet me Presidenten Vjosa Osmani, ndonëse nuk ka ndonjë paralajmërim për këtë ende.

Ai është përcjellë për në objektin e Presidencës nga Policia e Kosovës. Rruga paraprakisht është bllokuar për qarkullim.

Ndryshe nga vizita që raportohet se pati në Beograd e cila s’është konfirmuar ende, nga ajo në Kosovë menjëherë janë publikuar pamje.

Vizita e tij nuk është konfirmuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Arritja e tij u raportua pasi në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” u pa një avion i ushtrisë amerikane.

Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd dje dhe Bosnjë të mërkurën.

Për vizitën në Serbi, nuk ka dalë ende asnjë detaj. Madje nuk është konfirmuar ende, e nuk ka dalë as edhe një fotografi.

Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.

Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.

(Kosova Sot Online)