Rruga Prizren-Tetovë, prioritet i qeverisë së re

  • A.P /
  • 22 August 2024 - 17:40
Rruga Prizren-Tetovë, prioritet i qeverisë së re

Zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, sot ka qenë në vizitë në Kosovë ku është pritur nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin që ka bërë Durmishi për këtë takim u tha se temë diskutimi mes tyre ka qenë ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë dhe autostrada Shkup-Bllacë, për të cilat tha se janë prioritet i qeverisë së re të shtetit fqinj.

“Bashkë me ministrin Aliu, sot kemi pritur në takim zëvendësministren e Ministrisë së Transportit, të Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri me bashkëpunëtorë. Duke e uruar zëvendësministren për pozitën e saj të re i dëshiruam shumë suksese dhe njëkohësisht i ofruam bashkëpunimin tonë të sinqertë dhe shumë konstruktiv në kuadër të dy ministrive tona. Na gëzoj fakti që ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë dhe autostrada Shkup – Bllacë, janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së re. Ditëve në vazhdim priten hapa konkret drejtë realizimit të këtyre projekteve me rëndësi të veçantë për ne”, ka shkruar Durmishi.

Ndërkohë, për takimin ka njoftuar edhe zëvendësministrja e Maqedonisë së Veriut, e cila tha se vizita e parë jashtë vendit për të ishte në sot në Kosovë.

Ajo tha se takimi u zhvillua në “një atmosferë vëllazërore, duke u përqendruar në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona për projekte infrastrukturore të rëndësishme që do të kenë ndikim pozitiv për qytetarët e të dyja palëve”.

“Në qendër të diskutimeve ishte projekti jetik i rrugës Tetovë-Prizren, një projekt strategjik që do të ndihmojë në lidhjen më të mirë të dy shteteve tona dhe do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave. Ky projekt është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit tonë, dhe jemi të përkushtuar për ta realizuar sa më shpejtë dhe me cilësi të lartë. Përveç rrugës Tetovë-Prizren, biseduam gjithashtu për vazhdimin e pjesës së mbetur të projektit të rrugës Shkup-Bllacë, një tjetër segment kyç që do të përmirësojë lidhjet infrastrukturore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ky projekt është një prioritet i përbashkët dhe do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të transportit ndërmjet dy vendeve tona”.

Ajo shtoi se gjatë takimit u trajtuan edhe “një sërë projektesh të tjera konkrete që synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët tanë. Jemi të angazhuar për të siguruar që këto projekte të realizohen me sukses, duke ndjekur standardet më të larta dhe duke siguruar që përfitimet e tyre të ndihen nga të gjithë qytetarët”.

“Bashkëpunimi ynë me Republikën e Kosovës është një shembull i shkëlqyer i vullnetit të mirë dhe përkushtimit për zhvillimin e përbashkët të rajonit tonë”.

(Kosova Sot Online)