Kurti: Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor ka hapur dy thirrje

  • A.P /
  • 23 August 2024 - 17:52
Kurti: Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor ka hapur dy thirrje

Sot u mbajt mbledhja e trembëdhjetë e Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilën u shqyrtuan aplikimet për raundin e radhës të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor apo WBIF, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse, është thënë se burimi i financimit të projekteve infrastrukturore përmes mekanizmit të WBIF, do të jetë Plani i Rritjes dhe aprovimi i thirrjeve në fushat e energjisë, transportit, infrastrukturës digjitale dhe kapitalit njerëzor.

“Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor ka hapur dy thirrje: për raundin 31-të të granteve të asistencës teknike dhe për raundin 10E të granteve investuese. Sot do të miratojmë aplikimet për thirrjen e hapur për grantet e asistencës teknike, që do të shfrytëzohen për të përgatitur dhe ndihmuar zbatimin e investimeve infrastrukturore. Kosova është në proces të finalizimit të procesit të negocimit të agjendës së reformave, proces ky në të cilin jemi ndër shtetet e vetme të rajonit për të mos thënë i vetmi që kemi respektuar të gjitha afatet shumë ambicioze të caktuara nga BE-ja qysh nga fillimi. Në javët në vijim presim që procesi të përmbyllet me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjeve me BE-në për sa i përket instrumentit të ri si dhe marrëveshjes së veçantë për huadhënie. Pas kësaj pres nga të gjitha institucionet përgjegjëse të mbajnë këtë ritëm të respektimit të afateve në përmbushjen e objektivave, përkatësisht caqeve të përcaktuara në sektorët e tyre”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, bëhet e ditur se krahas Kurtit, të pranishëm ishin dhe Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, si dhe anëtarë të kabineteve qeveritare e drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.

(Kosova Sot Online)