Ukraina godet rajonin rus të Belgorodit
Ukraina godet rajonin rus të Belgorodit, forcat e Kremlinit sulmojnë hotelin me gazetar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Pesë persona vdiqën nga bombardimet ukrainase në rajonin kufitar të Belgorodit në Rusi, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa forcat ruse goditën një hotel në Ukrainën lindore, duke lënë një gazetar të zhdukur dhe dy të tjerë të plagosur.
Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në fshatin rus Rakitone, 38 kilometra nga kufiri ukrainas, mes tyre një vajzë 16-vjeçare që raportohet të jetë në gjendje kritike, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.
“Forcat ruse goditën një hotel gjatë natës në qytetin Kramatorsk në rajonin lindor të Donetskut, duke plagosur dy persona dhe lënë një të bllokuar nën rrënoja”, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin. Sipas njoftimeve ata ishin gazetarë nga Ukraina, SHBA dhe Britania e Madhe.
Agjencia e lajmeve Reuters tha të dielën se gazetari i saj që mbulonte luftën në Ukrainë ishte zhdukur dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit u shtruan në spital pasi “Hotel Sapphire”, ku po qëndronte një ekuipazh prej gjashtë personash, u godit “nga një sulm i dukshëm me raketë të shtunën”. “Një nga kolegët tanë është i zhdukur, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në spital për mjekim,” njoftoi agjencia Reuters.
Përveç hotelit, u shkatërrua edhe një ndërtesë se lartë aty pranë. Rajoni lindor i Ukrainës, Kharkivi gjithashtu u godit nga raketat ruse që shkaktuan plagë mes popullsisë civile.
(Kosova Sot Online)