Scholz kërkon ashpërsim të politikave të deportimit

  • A.P /
  • 26 August 2024 - 20:30
Scholz kërkon ashpërsim të politikave të deportimit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka kërkuar të ashpërsohen politikat e dëbimit për emigrantët e paligjshëm. Reagimi i zyrtarit të lartë gjerman vjen pas tragjedisë së tre ditëve më parë, kur një emigrant nga Siria goditi me thikë tre persona të cilët humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në Solingen. Olaf Scholz, tha se dëshiron të rrisë dëbimet e migrantëve të jashtëligjshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Duhet të forcojmë edhe një herë rregullat ligjore për armët që kemi në Gjermani, kjo vlen veçanërisht për përdorimin e thikave, por edhe për shumë gjëra të tjera që duhet të rregullohen shumë shpejt. Ne do të duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që ata që nuk mund dhe nuk lejohen të qëndrojnë këtu në Gjermani, të riatdhesohen dhe të deportohen", Olaf Scholz, Kancelar i Gjermanisë.

Scholz njoftoi pasoja të shpejta dhe kërkoi dënim të ashpër për autorin. Rregulloret e ligjit për armët në Gjermani, veçanërisht për përdorimin e thikave, duhet të forcohen sërish, tha politikani i SPD i pranishëm në vendin e sulmit. “Kjo duhet të ndodhë dhe tani do të ndodhë shumë shpejt”, tha Kancelari gjerman.

Kancelari foli gjithashtu për një luftë më të fortë kundër terrorit islamik. “Kjo shoqëri e lirë nuk mund të mposhtet, por duhet të jetë gjithashtu në gjendje të mbrohet – në një nivel të përshtatshëm për këtë sfidë, prandaj, duhet të diskutohet nëse autoritetet janë të pajisura në mënyrë adekuate.

Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin e së premtes së kaluar në një shesh në qendrën e qytetit të Solingenit. I dyshuari 26-vjeç, i cili është me origjinë nga Siria, u dërgua në paraburgim me urdhër të gjykatës, raporton agjencia gjermane DPA. Sulmuesi, i cili dyshohet se është anëtar i grupit terrorist të Shtetit Islamik, raportohet se ishte parashikuar të dëbohej në Bullgari pas mbërritjes në Gjermani në vitin 2022, por policia nuk arriti ta lokalizonte atë.

(Kosova Sot Online)