Macron: Arrestimi i shefit të Telegramit nuk ishte vendim politik
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se arrestimi i Pavel Durov, themeluesit dhe udhëheqësit të aplikacionit të mesazheve Telegram, nuk ishte politik, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Arrestimi i presidentit të Telegramit në tokën franceze u krye si pjesë e një hetimi gjyqësor”, shkroi Macron në X.
“Tani kjo çështje është në duart e gjykatësve” , shtoi ai.
Durov u ndalua në aeroportin Bourget, në periferi të Parisit, më 24 gusht, dhe ende po merret në pyetje.
Telegrami publikoi një deklaratë ku tha se Durovi “nuk ka asgjë për të fshehur”, duke shtuar se kjo platformë “po pret për zgjidhjen e shpejt të kësaj situate”.
Mediat franceze kanë raportuar se OFMIN, një zyrë franceze që merret me parandalimin e dhunës ndaj të miturve, kishte lëshuar një fletarrestim për Durovin për shkelje të dyshuara, përfshirë mashtrim, kontrabandë me drogë, bullizëm në hapësirën kibernetike, krim të organizuar dhe promovim të terrorizmit.
“Në qendër të kësaj çështjeje është mungesa e moderimit [të përmbajtjes] dhe bashkëpunimi i platformës, veçmas për luftimin kundër pedofilisë”, shkroi në një postim në LinkedIn kreu i OFMIN, Jean-Michel Bernigaud.
Telegrami, me bazë në Dubai, ka më shumë se 900 milionë përdorues në mbarë botën. Gjatë një interviste në prill, Durov u zotua se Telegrami synon të jetë “një platformë neutrale” dhe jo “lojtar në gjeopolitikë”.
Kritikët në Ukrainë, megjithatë thanë se kjo platformë shpërndan dezinformata dhe lehtëson veprimtari ilegale. Disa e kanë akuzuar Telegramin se ka lidhje me shtetin rus dhe e ndihmon në luftën kundër Ukrainës.
(Kosova Sot Online)