Kurti: Ligjin për Sigurime Shëndetësore po e përgatisim
Kryeministri Albin Kurti bashkë me vartësin e tij Arben Vitia morën pjesë në përurimin e disa renovimeve që u bënë në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kurti aty foli edhe për Ligjin për Sigurime Shëndetësore për të cilin tha se jetë në mbledhjen ose të nesërme ose të radhës të Qeverisë së Kosovës për miratim.
Megjithatë, Kurti pati disa porosi për qytetarët se çfarë nënkuptojnë sigurimet shëndetësore.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë”.
“Nuk është që sot qytetarët paguajnë tepër shumë dhe rrjedhimisht sigurimet shëndetësore janë ato që do të na bëjnë të paguajmë më pak. Në fakt, fillimisht, sidomos do të jetë e kundërta. Do të na duhet që të paguajmë njëherë në mënyrë që të mos paguajmë më vonë. Nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si një lloj shkopi magjik, i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi. Mos të harrojmë që buxheti për shëndetësi krahasuar me vitin e para parapandemik 2019 tash që po flasim në 2024 është 50% më i lartë. Dhe kjo natyrisht nuk është një shumë e cila i dedikohet mjekëve dhe infermierëve sa i dedikohet pacientëve”.
Kurti për renovimet në Klinikën Emergjente tha se janë përmirësuar kushtet si për mjekët si për pacientët.
“Rreth 800 mijë euro janë investuar në klinikën emergjente. Dua të falënderoj operatorin ekonomik që një punë që është dashur të kryhet për diç më pak se pesë muaj, e ka kryer për vetëm tre muaj. Kemi riorganizim të sportelit, nyjët sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritje të numrit të shtretërve nga 20 deri në 25. Më herët, mjekët dhe infermierët që kanë qenë në Klinikë Emergjente nuk është dashur të përballen vetëm me rastet urgjente të sëmundjes ose të aksidenteve të gjakderdhjeve dhe minutave të fundit të jetës së njeriut që nuk dihet nëse do të shpëtojë ose jo, por është dashur të përballet edhe me kushtet e vështira të punës edhe me vështirësitë e mëdha për ta shpëtuar pacientin. Tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre. Kur të kaloni në këto dhoma, salla të operimit, në këto vendqëndrime për pacientët, të aksidentuarit ju e kuptoni që gjithçka është në funksion të punës të mjekut dhe të infermierit të shërimit apo shpëtimit të pacientit. Ky është lajm shumë i mirë për shtetin tonë dhe për të gjithë pacientët”.
Kurti tha se e bënë edhe një shaka se përmirësimi i kushteve s’është ftesë për pacientët.
“Me shaka biseduam që kushtet e mira nuk janë kurrfarë ftese për të ardhur këtu sado që i kemi rregulluar kushtet ne shpresojmë që gjithnjë më pak njerëz do të kenë nevojë të vijnë këtu mirëpo nëse janë të detyruar të vijnë këtu atëherë do t’i kenë kushtet”.
Ka edhe kamera, operimi mund të përcillet nga afër edhe nga ndonjë ekip i mjekëve që ndodhet jashtë QKUK-së”
(Kosova Sot Online)