Flet kapiteni pas mbytjes së jahtit luksoz: Uji pushtoi gjithçka

  • E.k /
  • 28 August 2024 - 14:51
Flet kapiteni pas mbytjes së jahtit luksoz: Uji pushtoi gjithçka

James Cutfield, 50 vjeç, është kapiteni i jahtit luksoz me vela Bayesian, të manjatit britanik të teknologjisë Mike Lynch, që u mbyt pranë brigjeve siçiliane disa ditë më parë. 7 persona humbën jetën pas stuhisë që shpërtheu në atë zonë, ndërsa 15 të tjerë arritën të shpëtonin. Gjithçka ndodhi për pak minuta. Fundosja e jahtit shkaktoi mbytjen e Lynch, vajzën e tij tetëmbëdhjetë vjeçare Hannah dhe pesë persona të tjerë.

Cutfield refuzon të krahasohet me komandantin që shkaktoi mbytjen e anijes Giglio (kroçera Costa Concordia e mbytur në vitin 2012 në shkëmbinjtë pranë ishullit toksan të Xhilios, që shkaktoi vdekjen e 32 pasagjerëve). I vënë tanimë nën akuzë nga autoritetet italiane për vrasje të shumëfishtë, kapiteni i anijes shprehet se bëri gjithçka për të parandaluar mbytjen e jahtit. Ishte dita më e errët jetës së tij për kapitenin James Cutfield nga North Shore, Auckland, Zelandë e Re. Ai mohon të ketë braktisur anijen, në ato kushte të tmerrshme atmosferike.

“Nuk kam braktisur askënd. Kam bërë gjithçka që është e mundur për të shpëtuar të gjithë, ekuipazhin dhe pasagjerët. Në një moment uji kishte pushtuar gjithçka dhe ishte bërë e ndaluar hyrja në anijen me vela që po fundosej“, ka rrëfyer James Cutfield

Çfarë thonë dëshmitarët?

Pikërisht përpara mbytjes së anijes kishte nga ata që e panë jahtin e Lynch në ishujt Eolian. Është Emilio nga Chioggia, i cili ishte me familjen e tij në arkipelag në një jaht 40 metra. “Ishim në ankorim pranë njëri-tjetrit, bëmë turne së bashku për tre ditë në gjire të tjera”, tha ai. Ditën e katërt, i shqetësuar për motin e keq, Emilio zgjodhi të qëndronte në port dhe kështu u ndanë. “Por nuk pritej asnjë stuhi”, psherëtiu Cutfield menjëherë pas tragjedisë. “Në fakt nuk kishte pasur atë lloj alarmi për kushtet e motit” – konfirmoi Raffaele Macauda, ​​komandanti i rojes bregdetare të Palermos – por shton se anija me vela mund të qëndronte duke lëshuar spirancën në atë zonë”.

Mesazhet në WhatsApp mes kapitenëve të anijeve, Cutfiel injoroi alarmin për motin?

Cutfiel në kabinën e Bayesian kishte marrë vetëm një alarm të verdhë nga Mbrojtja Civile për stuhi të mundshme. Ai këmbëngul se në fakt nuk pritej përkeqësim i kushteve të motit. Cutfield thotë se faji mund t’i atribuohet , shkruan Corriere, në vend të një gabimi njerëzor, natyrës së jashtëzakonshme të ngjarjes atmosferike, me erëra shumë të forta që filluan të fryjnë në çdo drejtim.

Në këtë drejtim, ekziston një grup në Whatsapp ku qindra komandantë diskutojnë çdo ditë për kushtet e motit.

“Përtej buletineve zyrtare lidhur me parashikimin e motit, ata që bëjnë këtë punë i dinë mirë rreziqet kur një front i ftohtë mbërrin mbi një det kaq të ngrohtë. Prej ditësh i shkruanim njëri-tjetrit që të bënim kujdes sepse mund të shkaktohej një fenomen i dhunshëm natyror dhe i papritura”. “Stuhia kishte kaluar nga Formentera, një katastrofë, në Sardenjë…”, shton Dudi Coletti, komandanti i një anije që i shpëtoi stuhisë: “Menjëherë pas kësaj, në Porticello ndodhi diçka e paparashikueshme”, thekson ai. Gjithashtu pjesë e grupit të WhatsApp është edhe Marco Schiavuta, një ish-anëtar i Moro di Venezia, i cili tani është një sipërmarrës detar, i cili kërkon të bëhet kujdes: “Nëse parashikohet një stuhi, merrni të gjitha masat tuaja, por nëse nuk parashikohet, është e vështirë të thuhet çfarë është e drejtë të bësh”.

Cutfield zgjodhi të qëndrojë në ujërat Porticello. Pastaj erdhi rrufeja dhe ajo erë e frikshme. Anija me vela u lëkund, uji iu lëshua dhe anija Bayesian u mbyt bashkë me shtatë persona.

I lindur në tokën e lundrimit, James Cutfield braktisi Zelanën e Re për Mesdheun

Përpara se të punonte për Lynch, Catfield ishte kapiten i jahteve luksoze në Mesdhe për vite me radhë dhe gjithashtu punoi për një miliarder turk të paidentifikuar.

I lindur në atdheun e lundrimit dhe regatave të mëdha, në Zelandën e Re, e cila priti tri herë Kupën e Amerikës, një marinar mes marinarëve, 50-vjeçari Cutfield zgjodhi përfundimisht Mesdheun. Për të punuar dhe jetuar atje. Pas viteve të gjata si kapiten, në vitin 2016 ai bëri hapin në botën e jahteve, anijeve argëtuese dhe varkave me pesë yje. Ai filloi të punojë në emër të ndërmjetësve të mëdhenj ndërkombëtarë detarë që menaxhojnë lundrimet luksoze. Fillimisht me një pronar anijesh turke, më pas me manjatin Mike Lynch që i kishte besuar timonin e Bayesian-it, një xhevahir i detit me gjatësi 56 metra dhe me direkun më të lartë të aluminit në botë, 75 metra të lartë.

“Një sfidë strukturore”, e quan atë Stephen Edwards, komandanti që i parapriu në kuvertën komanduese anijes me vela, e cila dikur quhej “Salute”. Tani Edwards pohon se “me një pjerrësi 45 gradë dhe hapjen e ventilimit të dhomës së motorit, varka mund të kishte pasur probleme serioze” duke iu referuar asaj që po ndodhte atë natë në det të hapur.

Në bordin e jahtit që u mbyt kishte 22 persona – 10 anëtarë ekuipazhi dhe 12 pasagjerë – nga të cilët 15 u shpëtuan, duke përfshirë britaniken Charlotte Golunsky dhe vajzën e saj njëvjeçare Sophia, si dhe gruan e Lynch, Angela Bacares.

Jahti luksoz besohet se tanimë ndodhet në një thellësi prej 50 metra, në fundin e detit.

(Kosova Sot Online)