Osmani ka pritur në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Siç njofton Presidenca për takimin, Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.
Gjithashtu, Osmani tha se falënderoi NATO-n për angazhimin e deritashëm për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar “rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”.
Hapjen e urës, Osmani e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, thotë Presidenca.
(Kosova Sot Online)