Qeveria e RMV paralajmëron rishikimin e Autostradës Shkup – Bllacë

  • A.P /
  • 29 August 2024 - 17:50
Qeveria e RMV paralajmëron rishikimin e Autostradës Shkup – Bllacë

Ministria e Transportit dhe “Rrugët e Maqedonisë” do të rishikojnë projektin për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, gjegjësisht për 12 kilometrat e mbetura nga gjithsej 14, për shkak se janë ngritur një sërë dilemash për projektin ekzistues. Këtyre institucioneve u duhet të vendosin nëse projekti, në formë që është, është ose jo i realizueshëm. Mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim janë siguruar por janë të pamjaftueshme për realizimin e versionit që është zgjedhur, deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski. Nikollovski thotë se nuk ka marrë sqarim nga drejtuesit e kaluar, përse është zgjedhur një trase e re, dhe jo ajo ekzistuese që të çon drejt Bllacës.

“Kanë vendosur nga udhëheqësia e kaluar e Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore me në krye Ejup Rustemin, deri sot nuk e di arsyen se përse dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje të logjikshme, të mos ndjekin trasenë ekzistuese, por të ndjekin trase tjetër e cila është malore, dhe në të cilën nga 12 kilometra, 6 kilometra janë tunele, që janë shumë të vështirë për t’u realizuar. Neve mund të na ndodhë njëjtë si me hekurudhën drejt Bullgarisë që autostrada të kushtojë shumë shtrenjtë, vlera e përllogaritur për momentin është 240 milion euro, që është 20 milion euro për kilometër, dhe që pyetja tjetër është a mundet të realizohet nga aspekti inxhinierik”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

Për një muaj ose një muaj e gjysmë, Nikollovski thotë se do të kenë një vendim sa i takon projektit për 12 kilometrat e mbetura. Dy kilometrat e para të projektit janë pothuajse gati dhe do të hapen në dy muajt e ardhshëm.

Një projekti tjetër që nuk do të realizohet ashtu siç ishte planifikuar nga qeveria e kaluar është ai në kuadër të Korridorit 8, për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Nikollovski sot njoftoi se qeveria ka tërhequr anëtarët e komisioneve vlerësuese për zgjedhjen e mbikëqyrësit dhe realizuesit të projektit, me qëllim të ndërprerjes së procedurës. Asnjëra nga firmat e paraqitura në tender nuk është nga një vend serioz i BE-së, tha Nikollovski. Sipas tij, arsyeja e ndërprerjes është se projekti çon në tunel që nuk të nxjerr askund si dhe fakti që projekti u komprometua, pas përpjekjeve për ryshfet ndaj funksionarëve të qeverisë aktuale.


“Pres, me një bashkëpunim mes qeverisë maqedonase dhe bullgare, në bashkëpunim me BE-në dhe me përfaqësues të bankave të punojmë projekt që do të nënkuptojë ndërtim të hekurudhës drejt bullgarisë, dhe jo mosndërtim, sepse projekti që e kemi për momentin nuk është real, nuk është i realizueshëm dhe nuk mund të përfundojë. Duhet të ndërtohen 22 tunele dhe 56 ura për 22 kilometra. Është shumë i shtrenjtë, 22 milion euro për kilometër. Dhe e treta, Bullgaria nuk e ka bërë pjesën e saj sepse hekurudha përfundon në tunel që nuk dërgon askund”, tha Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

Për ndërprerje të procedurës për realizimin e projektit për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë janë njoftuar përfaqësues të BE-së, të Bankës Evropiane për Investim dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

(Kosova Sot Online)