Lajçak del me njoftim: Po e përgatisim takimin e ri të kryenegociatorëve
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se janë duke e përgatitur një takim të radhës Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai u pyet nëse po punojnë për një takim të nivelit të lartë, por Lajçak tha se tani për tani në plan e kanë takimin e këtij formati.
“Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve”, tha Lajçak.
Lajçak ka thënë se palët s’kanë alternativë tjetër ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën tha se Serbia nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje.
“Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht obliguese dhe e vlefshme në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian e ka thënë këtë shumë herë. Dhe, po ashtu, të gjitha obligimet e Serbisë sipas Marrëveshjes tashmë janë inkorporuar në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, ato janë, po ashtu, ligjërisht obliguese ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.
“Kësisoj, nuk ka nevojë për qasje alternative. Unë mendoj se presidenti [francez, Emmanuel] Macron e tha shumë qartë dje [në Beograd]. Rruga është e shtruar. Dhe, rruga është Marrëveshja e Ohrit. Ai tha se Serbia ka një vend në Evropë. Por, ai, po ashtu, kritikoi Kosovën për… Po i referohem pjesës që lidhet me dialogun. Ai e bëri shumë të qartë se e mbështet plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv. Dhe, e dyta, nuk ka alternativë ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ishte, mendoj unë, shumë e qartë nga ajo që tha ai. Dhe, pjesën tjetër po ua lë të tjerëve ta komentojnë”.
(Kosova Sot Online)