
Hoti: Qeveria Kurti me mandatin më të dobët qeverisës ndonjëherë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thotë se qeveria aktuale ka dështuar në implementimin e projekteve të mëdha ekonomike.
Ai po ashtu ka pasur kritika ndaj pushtetit sa i përket mospërmbushjes së premtimeve në arsim e shëndetësi.
Hoti thotë se veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta dhe larg çdo standardi për përmirësimin e kushteve në sektorët kyç.
Ai po ashtu thotë se as projektet që janë lënë në gjysmë nga qeveritë kaluara nuk kanë shkuar përpara.
“Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës në vend dhe këto nuk janë vlerësime të opozitës, por mund të verifikohen në terren në secilin prej sektorëve një nga një, sheh se nuk janë realizuar as premtimet jo se jo, por nuk janë ndërmarrë edhe veprimet karshi situatave të krijuara që ka pas nevojë për ndërhyrje të qeverisë. Te premtimet, në aspektin ekonomik gati që nuk ka asnjë projekt të madh kapital që ndryshon situatën ekonomike në vend. As projekte që janë lënë në gjysmë nga qeveritë e kaluara nuk kanë shkuar përpara. Premtimet në arsim e shëndetësi kanë qenë mashtrime të qytetarëve dhe të sektorëve të caktuar. Të shohësh tash se kryeministri që shkon dhe promovon salla të caktuara në kuadër të shërbimit spitalor të Kosovës, ndërkohë që katër vjet nuk bisedon për sigurime shëndetësore, ose për të rregulluar njëherë e përgjithmonë furnizimin me barna nga lista esenciale, ose ofrimin e disa shërbimeve më të specializuara brenda QKUK-së, në mënyrë që njerëzit të mos kenë nevojë të dalin jashtë. Në fushën e arsimit është e njëjta gjë”, thotë Hoti.
(Kosova Sot Online)