Gashi: Qeveria e Kosovës është vonuar me vendimin për rritjen e pagës minimale

  • A.P /
  • 02 September 2024 - 09:00
Gashi: Qeveria e Kosovës është vonuar me vendimin për rritjen e pagës minimale

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës (SPAK), Ali Gashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është vonuar me vendimin për rritjen e pagës minimale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se propozimi i Sindikatës që paga minimale të jetë 350 euro ka qenë qysh në vitin 2022 e se tani kjo pagë, marrë parasysh situatën ekonomike në vend, nuk ka ndonjë efekt në përmirësimin e jetës së punëtorëve.

Gashi ka thënë se kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë më e vogël se 450 euro, marrë parasysh inflacionin dhe situatën e të punësuarve në Kosovë.

“Ne e vlerësojmë këtë veprim nga ana e Qeverisë, edhe pse është jashtëzakonisht shumë i vonë për arsye se ne me kohë si sindikatë kemi kërkuar fillimisht që të shihet mundësia që të jetë 350, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo që e kemi propozuar ka qenë në vitin 2022 dhe tani jemi në 2024, nuk e di se sa ka efekt. Qëndrimi jonë si federatë sindikale dhe shkresat e dërguara në adresën e Qeverisë, është që paga minimale të mos të jetë më e vogël se 450 euro, duke marrë parasysh edhe inflacionin edhe trendin e zhvillimit ekonomik dhe situatës në të cilën gjendet një i punësuar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.

(Kosova Sot Online)