Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ndërkufitare

  • A.P /
  • 02 September 2024 - 15:45
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ndërkufitare

Gjatë fundjavës Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme të shumta ndërkufitare. Kievi tha se sulmet ruse plagosën dhjetëra persona në Ukrainë. Siç njofton korrespondenti, Arash Arabasadi, njoftimi vjen pas pretendimeve të Moskës se kishte shkatërruar 158 dronë ukrainas gjatë natës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin kur një raketë godet Kharkivin.

Autoritetet lokale thonë se disa raketa ruse goditën qytetin ukrainas, duke plagosur të paktën 40 persona, në mesin e të cilëve edhe pesë fëmijë. Zyrtarët thonë se ky numër mund të rritet.

Lajmi vjen pas një fundjave me sulme të shumta ndërkufitare. Rusia thotë se shkatërroi 158 dronë ukrainas.

Por disa nga sulmet me dron duket se kanë shkaktuar dëme. Zyrtarët rusë thonë se mbetjet e dronëve shkaktuan një zjarr në një rafineri nafte afër Moskës.

Dëme u raportuan edhe në një termocentral, një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në pjesën qendrore të Rusisë.

Zhvillimet vijnë vetëm disa ditë pasi Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin priti në Pentagon homolgun e tij ukrainas, të cilin e garantoi për vazhdim të ndihmës amerikane.

“Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në mbështetjen për një Ukrainë të lirë, të sigurt dhe sovrane. Krahas rreth 50 aleatëve dhe partnerëve tanë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë kapacitete jetike, të domosdoshme për të luftuar agresionin e Kremlimit”, tha zoti Austin.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evripian, Josep Borrell u kërkoi aleatëve që të heqin kufizimet ndaj Ukrainës për të përdorur armët me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin rus.

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes tha se goditi një depo armësh të Ukrainës në rajonin Sumy.

Autoritetet lokale thanë se sulmet gjatë natës vranë dy gra dhe plagosën të paktën 11 persona, ndërsa ekipet urgjente u angazhuan për shuarjen e zjarrit në atë zonë. Sulmi u pasua me ndryshime tek ushtria ukrainase.

“Kam vendosur të zëvendësoj Komandantin e Forcave Ajrore të Ukrainës. Ne duhet të forcohemi, të kujdesemi për njerëzit tanë, personelin tonë, për të gjithë luftëtarët tanë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Largimi i zyrtarit të lartë të ushtrisë vjen pas lajmeve për rrëzimit e një avioni luftarak F-16, mes bombardimeve ruse. Kievi e mori avionin nga partnerët perëndimorë.

Ndërsa sulmet nga ajri janë një kërcënim i vazhdueshëm, gratë ukrainase po angazhohen vullnetarisht për të penguar ato. Grupi i quajtur “Magjistaret e Buçës” po monitoron qiellin, për të mbrojtur vendin nga sulmet si ato të fundjavës. 

(Kosova Sot Online)