Analisti i njohur: Ideja e Macron se shitja e Rafale do ta afrojë Serbinë me BE’në është iluzion

  • A.P /
  • 03 September 2024 - 12:31
Analisti i njohur: Ideja e Macron se shitja e Rafale do ta afrojë Serbinë me BE’në është iluzion

Ideja se marrëveshja për shitjen e avionëve ushtarakë Rafale nga autoritetet franceze dhe presidenti Emmanuel Macron do ta afrojë Serbinë me Bashkimin Evropian është një iluzion, vlerëson Florent Marciaq, bashkëpunëtor i Institutit Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se është gabim që Franca dhe BE-ja besojnë se Serbia është me të vërtetë e përkushtuar në rrugën evropiane vetëm sepse i shet municion Ukrainës për luftën me Rusinë (gjë që autoritetet në Beograd nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht), dhe në të njëjtën kohë refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Marciaq gjithashtu vuri në dukje atë që ai e quajti “kontradiktë” në atë që Franca dhe BE flasin për demokracinë dhe stabilitetin në rajon, ndërsa në të njëjtën kohë refuzojnë të njohin problemet e brendshme me të cilat përballet shoqëria serbe, protestat për zgjedhjet dhe projektin e minierës së litiumit. , si dhe tensionet në veri të Kosovës.

“Në radhë të parë qëllimi i vizitës ishte promovimi i interesave ekonomike të Francës, kjo ishte në plan të parë. Është kontrata Rafale që u finalizua, si vazhdim nga vizita e mëparshme në mars, por edhe bashkëpunimi në fushën e energjisë bërthamore, si dhe të inteligjencës artificiale. Franca dhe Macron e shtynë atë  përpara dhe shmangën ose nuk u morën me ndonjë çështje tjetër politike. Kjo është korniza e kësaj vizitë që i leverdis pushtetit në Beograd, dhe për këtë nuk pati kritika nga pala franceze.” .

(Kosova Sot Online)