
Autobusi përplas turmën para shkollës

Një autobus shkolle është përplasur me një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 11 persona, pesë prej tyre nxënës, në krahinën jugore kineze Shandong, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Shumë persona të tjerë janë lënduar, përfshirë njërin prej tyre që është në gjendje të rëndë shëndetësore. Autobusi duket se është përplasur në turmën e nxënësve dhe prindërve derisa po prisnin para portave të shkollës në qytetin Tai’an.
Ngasësi “ka humbur kontrollin” e mjetit transportues, raportojnë mediat kineze. Shoferi është arrestuar nga policia, e cila po heton shkakun e vërtetë të aksidentit.
“Deri tani, 11 persona kanë vdekur (përfshirë gjashtë prindër dhe pesë nxënës)”, kanë raportuar mediat kineze pas lajmit për përplasjen e autobusit në turmën e prindërve dhe nxënësve. Dymbëdhjetë persona të tjerë janë në gjendje stabile.
Aksidentet vdekjeprurëse në trafik janë të shpeshta në Kinë.
Në korrik, policia njoftoi se një makinë u përplas me një turmë kalimtarësh në trotuar në qytetin Chnagsha, duke lënë tetë persona të vdekur dhe lënduar shumë të tjerë.
(Kosova Sot Online)