Pesë përfaqësues të institucioneve paralele në veri janë ftuar që të japin deklaratë

  • A.P /
  • 04 September 2024 - 11:25
Pesë përfaqësues të institucioneve paralele në veri janë ftuar që të japin deklaratë

Nënkryetari i Listës Srpska, Dragisha Miloviq, ka thënë se pesë përfaqësues të institucioneve paralele që u mbyllën në veri janë ftuar që të japin deklaratë në polici nesër më 5 shtator, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ata janë ftuar për intervistim lidhur me dyshime për falsifikim dokumentesh.

“Kam informacione se kërkohen deklarata nga kryetarë të caktuar të organeve të përkohshme dhe drejtorë të këtyre institucioneve tona, që me datën 5 të këtij muaji të paraqiten në njësinë rajonale në veri dhe të japin deklaratë për gjoja nënshkrimin e falsifikuar”, ka thënë Milloviq për mediumin publik të Serbisë.

Thirrjen për intervistim të këtyre pesë serbëve e kishte konfirmuar për Gazetën Express Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë për veriun.


“I kemi ftuar pesë persona për intervistim të cilët janë përfaqësues të institucioneve paralele lidhur me falsifikim të dokumenteve”, kishte thënë Elshani.

Mediat serbe në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për Milan Radojeviq, Igor Simić, Ivan Zaporožac, Ivan Todosijević dhe Zoran Todić.

Milloviq këtë thirrje për intervistë të Policisë së Kosovës e prezantoi si “një tjetër presion politik”.

“Dhuna institucionale, politike dhe fizike është e përditshme”, pretendoi nënkryetari i Listës Srpska. 

(Kosova Sot Online)