Osmani: Jemi krenarë që botës i dhamë Nënë Terezën

  • A.P /
  • 05 September 2024 - 10:29
Osmani: Jemi krenarë që botës i dhamë Nënë Terezën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar veprën e Nënë Terezës dhe trashëgiminë e saj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo veçoi fjalinë e saj: “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…”.

“Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Nëna jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim”.

Osmani tha se përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.

“Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenarë që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë”.


(Kosova Sot Online)