Stano: Të gjitha çështjet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE

  • A.P /
  • 05 September 2024 - 13:18
Stano: Të gjitha çështjet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE

Pas aksioneve të fundit të Policisë së Kosovës në veri, zëdhënësi i Bashkimit  Evropian Peter Stano, ka theksuar se BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me palët e ndryshme në Kosovë dhe ka përcjellë mesazhet e saj për të shmangur veprimet e pakoordinuara që mund të përshkallëzojnë tensionet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Stano-s, situata në veri është e paqëndrueshme dhe shqetësimi kryesor i BE-së është përshkallëzimi i mundshëm i tensioneve, që mund të kontribuojnë në një situatë më të rënduar.

“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me palë të ndryshme në Kosovë, në nivele të ndryshme e formate të ndryshme, dhe po i përcjellim mesazhet dhe pritjet tona qartazi. Nuk do të përsëris se çka kam thënë në reagimin tonë të javës së kaluar, kur aksioni në veri të Kosovës u zhvillua kundër këtyre institucioneve që udhëhiqeshin nga serbët atje. Por thelbi është se kemi një situatë që është tashmë e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor është, që është edhe mesazhi ynë kryesor për autoritetet në Kosovë: shmangni çfarëdo veprimi/hapi, që janë të pakoordinuar dhe mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më tej”, ka deklaruar Stano para mediave.

Ai kërkoi që çështjet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, duke theksuar se BE është angazhuar për të zgjidhur këto probleme.

“Prandaj ne jemi të përfshirë me palët në Kosovës dhe po i përcjellim këto mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund t’i zgjidhim këto çështje aty ku duhet, dhe ato duhet zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar tutje ai.

(Kosova Sot Online)