Bislimi jep detaje pas takimit me Lajçakun

  • A.P /
  • 06 September 2024 - 15:40
Bislimi jep detaje pas takimit me Lajçakun

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka qëndruar sot në Prishtinë me ftesë të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Lajcak në Qeveri pas takimit me kryenegociatorin Bislimi, s’ka pranuar që të tregojë datën për të cilën janë pajtuar të takohen në Bruksel kryenegociatorët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas pyetjes së gazetarit, Lajcak ka thënë se do ta zbulojë datën në një moment të duhur.

“Ne jemi marrë vesh, por nuk do ta bëjë publike, sepse duhet ta bëjëm në kohën e duhur”, ka thënë Lajcak.

Datën e takimit të kryenegociatorëve nuk e ka zbuluar as zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Në komunikatën e lëshuar pas takimit me Lajcak, zyra e Bislimit kanë treguar për temat e diskutuara në takim, por s’kanë dhënë informacione rreth datës së takimit të dakorduar me Lajcak.

“Diskutimet përgjatë takimit u përqendruan në tri tema kryesore: dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e numrit dy të Qeverisë.

Lajcak para gazetarëve ka folur edhe për temën e Urës së Ibrit dhe ka thënë se qëndrimi i BE-së rreth hapjes është i ditur. Sllovaku ka thënë se vendimi për hapjen e Urës për vetura duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në komunikatën e zyrës së Bislimit, për temën e Urës së Ibrit kanë thënë se ekziston një marrëveshje që është dakorduar në Bruksel dhe se hapja duhet të ndodhë pa vonesa dhe pengesa.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)