'Putin s’do t’ia dalë të shuaj pavarësinë'
Shefat e agjencive të inteligjencës britanike e amerikane përmes një opinioni të përbashkët të publikuar në Financial Times kanë ngritur alarmin se rendi ndërkombëtar është përballë një kërcënimi që s’ishte parë që nga Lufta e Ftohtë. Shefat e MI6 dhe CIA-s thanë gjithashtu se të dy vendet qëndrojnë së bashku në “rezistencën kundër një Rusie më të vendosur dhe luftës agresive të Putinit në Ukrainë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në një artikull të përbashkët, që shkruhet për herë të parë, Sir Richard Moore dhe William Burns kanë treguar në Financial Times se ata e kishin parë luftën në Ukrainë të vinte “dhe ishin në gjendje të paralajmëronin komunitetin ndërkombëtar”, pjesërisht duke deklasifikuar sekrete për të ndihmuar Kievin.
Ata gjithashtu thanë se po bëhej punë për të “penguar fushatën e pamatur të sabotazhit” në të gjithë Evropën nga Rusia, për të nxitur de-përshkallëzimin në luftën Izrael-Gaza dhe për kundër-terrorizmin për të ndaluar rikthimin e Shtetit Islamik (IS).
Në artikullin e publikuar nga FT, ata kanë shkruar se rendi botëror është në një kërcënim që nuk është parë qysh nga lufta e ftohtë.
“Nuk ka asnjë dyshim që rendi ndërkombëtar – sistemi i balancuar që ka çuar në paqe dhe stabilitet relativ dhe ka ofruar rritje të standardeve të jetesës, mundësi dhe prosperitet – është nën kërcënim në një mënyrë që nuk e kemi parë që nga Lufta e Ftohtë.”, shkruajnë Moore dhe Burns.
Si kërcënim kryesor ata shohin luftën në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e saj të tretë pas agresionit të Rusisë në vitin 2022.
Sir Richard dhe z. Burns thanë se “vazhdimi i kursit është më i rëndësishëm se kurrë” kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës, duke shtuar se Presidenti rus Vladimir Putin “nuk do të ketë sukses për ta shuar sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.
Konflikti ka treguar se si teknologjia mund të ndryshojë rrjedhën e luftës, dhe ka theksuar nevojën për “përshtatje, eksperimentim dhe inovacion”, shkruajnë ata.
“Përtej Ukrainës, ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të penguar fushatën e pamatur të sabotazhit në të gjithë Evropën të zhvilluar nga inteligjenca ruse, dhe përdorimin e saj cinik të teknologjisë për të përhapur gënjeshtra dhe dezinformata të krijuara për të futur përçarje mes nesh.”, thuhet ndër të tjera në artikull.
(Kosova Sot Online)