Largohen bllokadat në pikat kufitare nga serbët, hapen për qarkullim Bërnjaku e Merdarja
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se janë informuar se janë larguar bllokadat nga persona të maskuar në pikat kufitare në territorin e Serbisë. Për këtë ai tha se kanë marrë vendim për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak, të cilët u mbyllën dje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, ka shkruar ai.
Kosova dje mbylli Merdarën e Bërnjakun për shkak se këta persona të maskuar ia bllokuan lëvizjen vetëm shqiptarëve, qofshin edhe ata të diasporës, ndërsa serbët i lanë të kalonin.
Dje ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, reagoi për gjendjen që u krijua në pikat kufitare, duke akuzuar Policinë e Serbisë se u bë bashkëfajtore për mosreagim derisa personat e maskuar penguan lëvizjen e lirë për shqiptarët.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, ka shkruar mbrëmë ajo.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar sot Serbinë se qëndron prapa bllokadave përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin.
“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, tha Osmani sot nga Podujeva.
(Kosova Sot Online)