Presidenti serb ia lë disa letra Lajçakut

  • A.P /
  • 10 September 2024 - 12:32
Presidenti serb ia lë disa letra Lajçakut

Po vazhdon takimi i të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vuçiq e priti Lajçakun në takim në Presidencën e Serbisë, ndërsa pas bisedës nuk është planifikuar që ai të flasë për media, raportojnë mediat në Beograd.

“Kosovo Online”, mediumi serb në Kosovë i kontrolluar nga Beogradi ka publikuar fotografi nga takimi, ku shihet Vuçiq teksa ia vë Lajçakut përpara disa letra.

Diplomati sllovak njoftoi se do ta vizitonte Beogradin për ta përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Javën e kaluar, me të njëjtin qëllim, ai vizitoi Prishtinën, ku tha se është dakorduar një datë për një takim ndërmjet kryenegociatorëve.

(Kosova Sot Online)