Stano: Në emër të BE-së nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që tha Lajçak
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka hezituar të japë më shumë detaje rreth tërheqjes së letrës të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, që ia dërgoi shteteve anëtare ku deklaroi se Serbia është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në pyetjet insistuese të gazetarëve, Stano tha se nuk do t’i shtojë asgjë deklaratës së emisarit Miroslav Lajçak në Prishtinë, i cili i pari njoftoi se Serbia ka tërhequr letrën e dërguar nga Bërnabiq.
“Në emër të BE-së nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që tha emisari special, Miroslav Lajçak, në takimet në Prishtinë, javën e kaluar dhe nuk ka nevojë të përsëritet”.
Stano gjithashtu tha se detajet që i kërkuan gazetarët nuk i takon BE-së t’i thotë, por autoriteteve serbe.
“Pse, kur dhe si ndodhi kjo, nuk është diçka që na takon neve, por u takon autoriteteve të Serbisë t’i adresojnë këto pyetje. Mund të përsëris qëndrimin e BE-së që është i vazhdueshëm që nga dita e parë e Marrëveshjes së Ohrit e ajo është se të dyja palët kanë obligim të zbatojnë marrëveshjen, e cila është ligjërisht obliguese”.
Zëdhënësi i BE-së ishte i zëshëm në theksimin e asaj që Kosova dhe Serbia nuk mund të ndjekin rrugën e tyre drejt BE-së pa zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Të dyja palët duhet të punojnë në zbatim pa ndonjë vonesë të mëtejme”.
Stano po ashtu tha se as Kosova dhe as Serbia “nuk do të jenë në gjendje të procedojnë në rrugën drejt BE-së”.
Lajçak të premten në Prishtinë pas një takimi që pati me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi tha se asnjëra palë nuk është tërhequr nga marrëveshja dhe përmendi edhe tërheqjen e Serbisë nga letra e dërguar më parë.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Lajçak para gazetarëve.
(Kosova Sot Online)