Osmani: Rusia dhe Putini duan të hapin një front të ri kundër Perëndimit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një interviste për median polale “TVP World”, se Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Osmani ka theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron në Bashkimin Evropian.
“Rusia dhe Putini duan të hapin një front të ri kundër Perëndimit duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor,” tha ajo në mediumin polak, teksa po qëndron në Poloni si e ftuar në samitin global “Vital Voices Summit”
“Unë besoj se ka shpresë që Ballkani Perëndimor, në fund, do të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n,” shtoi Osmani.
“Por parakushti për të arritur rezultate të tilla është trajtimi i Serbisë për atë që është […] një shtet satelit i Rusisë, i cili vetëm sa po rrit bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë,” tha Osmani.
Ajo gjithashtu i atriboi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë politikave të Beogradit ndaj shtetit të Kosovës
“Nuk është që të dyja, Kosova dhe Serbia, po kontribuojnë në tensione,” theksoi ajo në intervistë.
“Ka një vend, Serbia, që e ka shndërruar veten në vendin më të fuqishëm proksi të Putinit në Evropë. Dhe pastaj është Kosova dhe vendet e tjera në rajon që janë vazhdimisht viktima të akteve të agresionit nga Serbia.”
“Për këtë arsye, është thelbësore që Kosova të punojë krah për krah me aleatët dhe partnerët nga bota demokratike për të siguruar që t’i ndalim këto iniciativa destabilizuese nga Serbia, të ndihmuara dhe mbështetura nga Rusia”, ka thënë Osmani.
Komentet e saj pasqyrojnë shqetësimet se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë lidhjet e saj të forta ekonomike, kulturore dhe historike me Serbinë për të ushtruar ndikim në një rajon që është ende në një gjendje të paqëndrueshme.
(Kosova Sot Online)