Stano: Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim për sulmin në Banjskë

  • A.P /
  • 12 September 2024 - 14:27
Stano: Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim për sulmin në Banjskë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media ka thënë se ka mirëpritur përfundimin e hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, ka thënë Stano.

Stano ka thënë se Bashkimi Evropian është duke pritur tash vendimin e gjykatës dhe ka shtuar se Serbisë vazhdimisht i është kërkuar të bashkëpunojë lidhur me rastin.

“Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim të këtij sulmi. Kjo është pritja e BE-së dhe qëndron ende dhe ne e përcjellim mesazhin vazhdimisht te partnerët tanë në Serbi. Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi”, ka thënë Stano.

“Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jem ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do të shohim përfundimin”, ka theksuar Stano.

BE-ja vazhdimisht kishte insistuar se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime. Por, Stano të enjten ka thënë se është normale që duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.

I pyetur nëse BE-ja do të insistojë që Milan Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë se “Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dje ka njfotuar se është ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

(Kosova Sot Online)