Rashiq: Serbët duhet të jenë gati për një skenar që nuk do të na pëlqejë

  • A.P /
  • 14 September 2024 - 10:03
Rashiq: Serbët duhet të jenë gati për një skenar që nuk do të na pëlqejë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, shpreh besimin se këto institucione, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shton se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, thotë Rashiq.

Ai shton se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.

Rashiq thotë se duhet të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, në mënyrë që të mos dëmtohen as qytetarët, as punonjësit.

Ai nuk mund të thotë se cilat janë ato modele, por thekson se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”.

Ai rikujton se Plani i Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit është hartuar Kushtetuta e Kosovës – parashikon formimin e një grupi ekspertësh, që do ta përshtaste kurrikulën për pjesëtarët e komunitetit serb.

Sipas tij, institucionet shëndetësore dhe arsimore serbe duhet të bashkëpunojnë me Kosovën për të gjetur një zgjidhje për funksionimin e tyre, sipas rel.

Rashiq thotë se, mesa di, tash për tash nuk ka një bashkëpunim të tillë.

“Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)