Ja kush do ta udhëheqë tash e tutje dialogun Kosovë-Serbi
Ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, do të jetë përfaqësuesja e re e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në vend të Joseph Borrellit. Ndonëse lufta në Ukrainë do të jetë temë që do të vijojë ta dominojë agjendën e politikës së jashtme të BE-së, Kallasi do ta udhëheqë dialogun e nivelit politik mes Kosovës e Serbisë. E në Komisionin për Zgjerim, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e propozoi sllovenen Marta Kos, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Politikania estoneze, Kaja Kallas do të zëvendësojë Joseph Borrellin në postin kryesor diplomatik të Bashkimit Evropian.
Për emërimin e saj si përfaqësuese e re e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, liderët e BE-së u patën pajtuar në samitin e javës së kaluar, kur u pati vendosur që Ursula von der Leyeni ta marrë edhe një mandat si presidente e Komisionit Evropian e që Antonio Costa të jetë president i Këshillit Evropian.
Kallas pritet të udhëheqë dialogun e nivelit të lartë politik, siç bëri Borrell, por besohet se do të emërohet një Përfaqësues i ri Special i BE-së për dialogun, pasi që mandati i Miroslav Lajçakut skadon në janar të 2025-tës.
Pas shpalljes së vendimit të liderëve të BE-së Kaja Kallas u tha gazetarëve se “do të jenë një ekip i madh”.
“Besimi juaj do të thotë shumë për mua. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’u siguruar që Evropa të jetë një partner efektiv global dhe që qytetarët tanë të mbeten të lirë dhe të sigurt”, ka thënë Kallas.
Ajo në të shkuarën është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe e ka theksuar gjithashtu nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke vlerësuar se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.
(Kosova Sot Online)