Osmani: Besnik Bislimi duhet të tregojë se për çfarë tema është dakorduar me Lajçak

  • A.P /
  • 18 September 2024 - 10:22
Osmani: Besnik Bislimi duhet të tregojë se për çfarë tema është dakorduar me Lajçak

Presidentja Vjosa Osmani tha se kryengociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi duhet të tregojë se për çfarë tema është dakorduar me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërsa Bislimi ndodhej në Bruksel për rundin e ri të dialogut, Osmani paralajmëroi nga Prishtina se do të shkelej sovraniteti dhe Kushtetuta e Kosovës “në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë”.

“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Osmani.

Ajo tha se kjo temë “patjetër duhet të diskutohet, të dialogohet me partnerët tanë të sigurisë”, sepse “edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.

“Ato në të cilat ne po thirremi dhe po themi është paraparë hapja e urës më 2016-ën dhe 2017-ën, po ashtu parashohin rolin e Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, kryetarit të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, shoqërisë civile dhe të tjera. Pra, janë detyrime që dalin edhe nga vetë marrëveshjet e dialogut, por mbi të gjitha është interes i Kosovës që ne të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, ta kemi këtë plan i cili pastaj do të zbatohet dhe kur të hapet ura do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund të sfidohet, as nuk do të duhej të sfidohet nga askush”, tha presidentja në një konferencë për media, pas lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Osmani tha paraprakisht se “Kosova vazhdimisht ka treguar përkushtim për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”.

“Problemi eshte që ky dialog ka qe një kohë të gjatë që nuk po dëshmon se po organizohet në përputhje me parimin e barazisë së palëve. Pra, në asnjë moment nuk shihet që të dy palët po trajtohen të barabarta”, tha ajo.


(Kosova Sot Online)