Vdes në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i njohur shqiptar

  • A.P /
  • 18 September 2024 - 13:27
Vdes në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i njohur shqiptar

Ka vdekur në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Radio Televizioni Shqiptar raporton se ai ka pësuar arrest kardiak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), ka kontribuuar në Partinë Demokratike për 8 vjet, duke qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Karrierën politike Bogdani e filloi në vitin 2007, ku kandidoi me Partinë Demokratike për kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi. Gjate kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 Bogdani u zgjodh zv/president i Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nënkryetar.

Në shtator të vitit 2015 Bogdani u zgjodh Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbajti një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

(Kosova Sot Online)