Berisha mban fjalim nga dritarja e banesës për vdekjen e ish-deputetit Gerti Bogdani

  • A.P /
  • 19 September 2024 - 07:49
Berisha mban fjalim nga dritarja e banesës për vdekjen e ish-deputetit Gerti Bogdani

Kryetari i PD-së Sali Berisha ia kushtoi Gerti Bogdanit fjalimin e tij të përnatshëm nga dritarja e banesës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kreu i Partisë Demokratike iu drejtua mbështetësve të tij me këto fjalë: “Sonte ne mblidhemi këtu në zi dhe dhimbje të thellë. Të shokuar sepse sot ne të gjithë kemi humbur njërin prej nesh. Njërin nga drejtuesit e shquar të PD-së, që e kemi dashur, e kemi respektuar dhe çmuar si një mik të rrallë, fisnik, që na jepte nder të gjithëve”.

“Po, për Gerti Bogdanin papritmas dhe krejt para kohe, në moshën më të bukur, në kulmin e rinisë së burrit, të forcës dhe maturisë së tij, dielli perëndoi sot përgjithmonë”.

“I dashur Gerti, ike dhe u ndave nga ne dhe ti do mungosh shumë jo vetëm fëmijëve, bashkëshortes së nderuar, prindërve të dashur, por i sigurt si rrallë kush tjetër edhe të gjithë atyre që të kanë njohur, që kanë punuar me ty, atyre që ti ke drejtuar apo që kanë pasur fatin dhe kanë gëzuar miqësinë tënde”.

“Gerti, ti ike, por ti nga fëmijëria e hershme gjer sot, bëre sa askush tjetër krenar familjen, prindërit e tyre, bashkëshorten, fëmijët, bashkëmoshatarët e tu në shkollë, tiranasit e tu, brezin tënd, demokratët dhe demokratet, mijëra e mijëra të rinj që i drejtove me talent dhe pasion të PD-së. 
Të gjithë ata shqiptarë apo miq të huaj që punuan me ty, në shkolla Gerti Bogdani, në Tiranë apo Nju Jork, ishte më i pari ndër të parët dhe u laureove me medalje të arta.
Por më të artë se çdo gjë tjetër ti kishe atë harmoni që Zoti i madh rrallë e dhuron njeriut, harmoninë midis pamjet dhe shpirtit.
Kishe fisnikëri, civilitetin, ndershmërinë, maturinë, të cilat të bënin ty një bir shembullor, një prind dhe bashkëshort, qytetar, mik dhe shok të pashembullt.
Udhëheqës të dashur të të rinjve demokratë, qeveritar, deputet dhe përfaqësues i përkushtuar dhe dinjitoz i qytetarëve të Tiranës”.

“Gerti Bogdani ishte një prej politikanëve të rinj që i kushtoi vitet më të mira të jetës demokratëve, qytetarëve dhe Shqipërisë.
Ai ishte përfaqësues brilant i brezit të ri, patriot i vërtetë që midis shumë e shumë mundësive, zgjodhi të ndihmojë Shqipërinë.
Me një peshë të madhe në zemër, me një boshllëk në shpirt, ne përjetojmë sonte largimin tënd”.

“Por gjithashtu ne të premtojmë se do jesh i pavdekshëm, do jesh i përjetshëm në kujtimet tona dhe të të gjithë atyre që të kanë njohur”.

“Mirënjohjen më të pakufishme ndaj teje për gjithçka bëre, për PD-në, për brezin tënd, për Tiranën, për Shqipërinë”, u shpreh Sali Berisha. 


(Kosova Sot Online)