Fillon procesi gjyqësor ndaj Nagip Krasniqit

  • A.P /
  • 19 September 2024 - 10:27
Fillon procesi gjyqësor ndaj Nagip Krasniqit

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin aktakuzës për “keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo është seanca e parë e Krasniqit, që akuzohet se i ka shkaktuar KEK-ut humbje prej 3.2 milionë eurove.

Nagip Krasniqit, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.

Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.

Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro.

 

(Kosova Sot Online)