Brahimaj – Maqedoncit: Merru pak me kushtet e ushtarëve

  • A.P /
  • 19 September 2024 - 10:40
Brahimaj – Maqedoncit: Merru pak me kushtet e ushtarëve

Lahi Brahimaj, ish-komandanti i UÇK-së, e ka porositur ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin që të merret më shumë me kushtet e ushtarëve dhe të lë anash temat populiste, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Brahimaj, në një shkrim në Facebook të enjten, tha se është e dhimbshme t’i shohësh ushtarët e FSK-së që detyrohen të bëjnë edhe punë të tjera.

“Ministri i Mbrojtjes del e flet për dialogun me Serbi, por assesi për kushtet e ushtarëve.
E dhimbshme që një numër i madh i ushtarëve detyrohen të punojnë punë tjera, si taksistë e kamarierë, vetëm për të mbajtur familjet e tyre.

Lavdërimet për shefin e tij, që Ministri Maqedonci nuk kursente për t’i hyrë në qejf, nuk ia rregullojnë fare jetën ushtarëve të Kosovës.

Ata nuk kanë mbështetje, pagat i kanë më të ulëtat në rajon, çizmet i vijnë nga kompani në listë të zezë, dhe ka raste kur ushtarakë të edukuar e trajnuar në Akademitë prestigjioze perëndimore kanë lëshuar FSK-në për shkaqe të këtilla.

Ministër, lëri temat populliste e lavdet për shefin.

Merru me kushtet e ushtarëve, sepse ky duhet të jetë prioriteti yt”, ka shkruar Brahimaj në reagim.

(Kosova Sot Online)