Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi ndalon komunikimin me krerët e shtetit
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, ka lëshuar një urdhër të qartë për ndalimin e komunikimit të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes me zyrtarët e kabinetit të presidentit të shtetit, Jakov Millatoviq, ata të Qeverisë, Millojko Spajiqit dhe ata të Kuvendit, Andrija Mandiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ndalohet komunikimi me kabinetet e anëtarëve të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë, si dhe me kabinetet e ministrave në Qeveri, pa miratimin tim”, thuhet në urdhrin e ministrit që mban datën 10 shtator 2024.
Anëtarë të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë janë presidenti i shtetit, kryetari i Kuvendit dhe kreu i Qeverisë. Ky organ komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Analisti politik, Boris Mariq, thotë se urdhri reflekton mosbesimin midis degëve të ndryshme të pushtetit dhe sektorit të mbrojtjes.
“Nëse brenda vetë administratës shtetërore dhe në lidhje me kabinetet e presidentit të shtetit dhe kuvendit kemi një marrëdhënie që sugjeron nevojën për filtrimin e informacionit, çfarë atëherë mund të presin mediat dhe shoqëria civile”, thotë Mariq për (REL).
Edhe për ish-ministrin e Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, veprimi i Krapoviqit është tregues i mosbesimit “mes aktorëve kyç të pushtetit aktual”.
I pyetur për arsyet dhe nëse lëshimi i këtij urdhri tregon mosbesim në majat e pushtetit, ministri Krapoviq nuk ka dhënë përgjigje.
Kush është me kë në pushtetin malazias?
Krapoviq është funksionar i demokratëve, partisë së shumicës fituese që rrëzoi pushtetin tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.
Në Qeveri janë që nga tetori i vitit të kaluar me Lëvizjen Evropa Tani, të kryeministrit Millojko Spajiq, Frontin Demokratik pro-rus të Andrija Mandiqit dhe partitë minoritare, duke siguruar shumicën edhe në Parlament.
Që nga fillimi i vitit, kryeministri Spajiq dhe kreu i shtetit, Millatoviq, janë në një konflikt të ashpër politik, megjithëse dy vjet më parë themeluan së bashku Lëvizjen Evropa Tani.
Ndryshimi i tyre ka çuar në aleanca të reja politike.
Kështu, në zgjedhjet në Podgoricë më 29 shtator, në koalicion po garojnë Lëvizja Evropa Tani e Spajiqit dhe Demokratët e Krapoviqit, ndërsa fraksioni i Millatoviqit nga Lëvizja Evropa Tani është bashkuar me lëvizjen qytetare URA të ish-kryeministrit Dritan Abazoviq.
Partitë e Frontit Demokratik po garojnë me disa parti të vogla proruse.
Çfarë përmban urdhri i ministrit të Mbrojtjes?
Në urdhrin e Krapoviqit, me të cilin ndalohet komunikimi pa miratimin e tij me ministritë dhe të punësuarit në kabinetet e Millatoviqit, Mandiqit dhe Spajiqit, thuhet gjithashtu se mosrespektimi i urdhrit është subjekt i përgjegjësisë disiplinore.
“Për zbatimin e urdhrit janë përgjegjës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, drejtorët e përgjithshëm të drejtorive dhe shefat e njësive organizative”, ka shkruar Krapoviq.
(Kosova Sot Online)