Vuçiq: Ursula von der Leyen do të vizitojë Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas drekës së punës që e shtroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, tha se Serbia do të marrë paratë e para nga Plani i Rritjes rreth 112 milionë euro brenda një muaji, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këtu Vuçiq pretendoi se më të rëndësishme se paratë e BE-së është zbatimi i reformave në Serbi.
“Në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit mund të presim pagesën e parë, rreth 112 milionë euro. Prej tyre 32 milionë janë dhuratë dhe 80 milionë euro kredi shumë e favorshme. Por kjo nuk është e një rëndësie thelbësore për ne, por reformat dhe çfarë mund të bëjmë për kompanitë dhe ekonominë tonë”, tha Vuçiq sot për mediat serbe.
Vuçiq tha gjithashtu se për Serbinë në të gjithë Planin e Rritjes janë caktuar rreth 1.58 miliardë euro, nga të cilat 380 milionë euro janë dhuratë dhe 1.2 miliardë hua “jashtëzakonisht të favorshme”.
Vuçiq tha se në takim u diskutua edhe për rrugën europiane dhe tha se “Serbia është e mundur të hapë një grup të ri në negociatat e anëtarësimit me BE në dhjetor”, por shtoi se i duket se “më shumë varet nga kushtet politike dhe vendet individuale dhe jo nga Brukseli”.
Ai tha se von der Leyen do të vizitojë së shpejti Ballkanin Perëndimor dhe se mund të shkojë edhe në Beograd.
(Kosova Sot Online)