Kurti: Kosova zotohet që të zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike

  • A.P /
  • 20 September 2024 - 14:36
Kurti: Kosova zotohet që të zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike

Kryeministri Albin Kurti u prit sot në Bruksel nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, me të cilin diskutoi, siç tha Zyra e Kryeministrit, aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual europian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti në këtë takim ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin tha se edhe pse i ndarë ka ndikim në zgjerimin e BE-së.

Ai i tha Koopman se Republika e Kosovës vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi dhe u zotua për Marëveshjen Bazike dhe zbatimin plotësisht të saj, përfshirë edhe marrëveshjet e kaluara të dialogut.

“Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar”, thotë ZKM.

“Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, tha Kurti.

Ky takim i Kurtit vjen pas drekës që pati ai me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila mblodhi gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor e ku temë kyçe ishte Plani i Rritjes i BE-së për rajonin.

Ky Plan i Rritjes së BE-së do të përfshijë hapjen e tregut të saj të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor në fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti dhe energjia.

Por në këmbim, vendet duhet të zbatojnë reforma dhe të zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura me fqinjët e tyre. Në këtë të fundit, Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e marra në kuadër të dialogut, raporton Gazeta Express.

Kosova pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive. 

Gjithashtu, Zyra e Kryeministrit thotë se në këtë takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit”.

Kurti aty tha se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet, “sidomos tani kur shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit” dhe shtoi se kjo duhet arritur duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet europiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.

Në takim, po ashtu, u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Europian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve europiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Europian, një gjë që është dëshmuar edhe me qëndrimet e shprehura nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në drekën e djeshme me liderët e Ballkanit Perëndimor.

(Kosova Sot Online)