Fushtica: Jemi përgatitur për raste të vërshimeve në kryeqytet

  • A.P /
  • 20 September 2024 - 14:59
Fushtica: Jemi përgatitur për raste të vërshimeve në kryeqytet

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për raste të vërshimeve në kryeqytet dhe se kanë investuar në ngritjen e kapaciteteve të shërbimit profesional të zjarrfikësve dhe shërbime tjera, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Fushtica ka thënë se kërkesë e vazhdueshme e nivelit lokal është shtimi i numrit të zjarrfikësve, pasi aktualisht kanë pak më shumë se 70, duke shtuar se kanë ngritur kapacitetet për raste emergjente.

“Siç e patë edhe ditëve të kaluara, Evropën e ka kapluar një mot ekstrem i cili ndoshta vjen edhe si pasojë e ndryshimeve klimatike të mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit në të gjithë globin. Në këtë rrjedhojë edhe ne kemi filluar që t’i bëjmë përgatitjet tona për raste të tilla, shpresojmë që asnjëherë të mos ndodh. Ne si Kryeqytet jemi të gatshëm, kemi angazhuar dhe kemi forcuar dhe jemi duke bërë ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve tona emergjente, pra po flasim për shërbimin profesional të zjarrfikësve, të cilët kemi investuar këtë vit si në kapacitete si një trajnime. Aspekti tjetër është edhe nisma që deri në fund të vitit të kemi edhe shoqatën dhe njësitet e para vullnetare të zjarrfikësve dhe po ashtu për vitin tjetër kemi paraparë një ngritje të buxhetit për investime direkte në ngritjen e shërbimeve emergjente të Kryeqytetit, në mënyrë që të kemi përgjigje për rastet jo vetëm të vërshimeve por edhe të rasteve të fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive tjera që mund ta godasin Kryeqytetin”, ka thënë Fushtica.

(Kosova Sot Online)