Turqia i dënon me 250 vjet burg 37 të dyshuar si njerëz të Mossadit
Një Gjykatë në Turqi i ka dënuar me gati 250 vjet burgim 37 persona, të akuzuar për spiunazh për inteligjencën izraelite, Mossad, sipas një dokumenti që raporton ta ketë parë mediumi “The National”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sic raporton ky medium, Ahmet Koray Ozgurun dhe Alperen Erkut u dënuan me nga tetë vjet e një muaj për “marrje informacioni të ndaluar me qëllim spiunazhi”, sipas një liste akuzash nga Gjykata e Lartë Penale e Stambollit. Ata kanë të drejtë ankimimi dhe koha e kaluar në paraburgim do t’u hiqet nga dënimi.
Tridhjetë e pesë të tjerë u dënuan me gjashtë vjet e tetë muaj burg për të njëjtën akuzë.
Ky medium raporton se si muajin e kaluar, Turqia tha se kishte arrestuar financierin kryesor të Mossad në vend, Liridon Rexhepi, një shtetas kosovar. Raportohet se ai hyri në Turqi më 25 gusht dhe u arrestua pesë ditë më vonë në Stamboll nga një njësi kundër terrorizmit, pas punës së shërbimit të inteligjencës turke MIT.
Mediumi thotë se ka konfirmuar me burime nga autoritetet e sigurisë se Rexhepi ishte akuzuar për “spiunazh kundër shtetit”, pasi autoritetet arritën në përfundimin se ai u transferonte para agjentëve në terren të Mossad në Turqi, të cilët po operonin me drone, duke kryer “operacione psikologjike” kundër politikanëve palestinezë dhe përpilonin informacione për Izraelin rreth Sirisë.
Tutje mediumi raporton me burime se “Ai kishte pranuar në një deklaratë në Polici se kishte bërë transfere parash”.
Për dënimin e të akuzuave ka raportuar edhe media turke “Cumhuriyet”. Në raportimin e këtij mediumi theksohet se 19 persona janë liruar nga akuza. Në këtë raportim nuk përmendet askund emri i Liridon Rexhepit.
(Kosova Sot Online)