
Zbulohet arsyeja pse Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë nga sot deri më 26 shtator, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në njoftim thuhet se kjo do të bëhet “për arsye të sigurisë dhe që të ruhet paqja, e cila aktualisht është e një rëndësie të madhe për manastirin”.
Ndonëse nuk është përmendur në njoftim, më 24 shtator bëhen 1 vit nga sulmi i armatosur i terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit.
Pasi e vranë rreshterin Afrim Bunjaku, terroristët serbë u patën strehuar brenda Manastirit.
Së fundmi, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023, në mesin e tyre edhe Milan Radojçiq.
Sulmi në Banjskë ishte një sulm i armatosur i terroristëve serbë kundër njësive speciale të Kosovës që ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe për rrjedhojë edhe disa terroristë serbë.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u cilësua si sulm terrorist nga Kosova, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian dhe u dënua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Incidenti ndodhi gjatë një periudhe tensionesh të shtuara pas vendosjes me forcë të katër kryetarëve të komunave në komunat me shumicë serbe në maj të vitit 2023 pas bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët e Kosovës dhe dështimit të bisedimeve për marrëveshjen e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zona e prekur afër Mitrovicës është një qendër kryesore për pakicën etnike serbe të Kosovës, me banim kryesisht në katër komuna.
(Kosova Sot Online)