Vuçiq po e vazhdon fushatën e tij kundër Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në Nju Jork me presidentin e Iranit, Massoud Pezeshkian, dhe siç ka thënë ai, temë e veçantë e bisedës ka qenë situata në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Takimi mes dy presidentëve u zhvillua në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara.
Nga viti 2021, Serbia po e forcon bashkëpunimin me Iranin, pavarësisht se është një vend nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), me politikën e jashtme dhe të sigurisë së të cilit është e detyruar të pajtohet si vend kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Vuçiq ka shprehur mirënjohjen e tij në lidhje me Kosovën, pavarësinë e së cilës Irani nuk e njeh.
Sipas raportimeve, Vuçiq, në takimin me presidentin iranian, theksoi rëndësinë e institucionit të Kombeve të Bashkuara në përpjekjet për intensifikimin e dialogut dhe aktiviteteve diplomatike për qetësimin e shpejtë të të gjitha konflikteve, pasojat e të cilave tashmë janë të thella dhe të gjera.
Ai ftoi presidentin e Iranit të vizitojë Serbinë.
(Kosova Sot Online)