Osmani: Vuçiq nuk e do kthimin e serbëve të Kosovës në institucione

  • A.P /
  • 27 September 2024 - 16:04
Osmani: Vuçiq nuk e do kthimin e serbëve të Kosovës në institucione

Presidentja Vjosa Osmani ka folur mbrëmë rreth kërkesave të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dy javë më parë, i cili ndër të tjera kërkoi edhe zgjedhje në katër komunat veriore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vuçiq kishte kërkuar “shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian”.

Por, për Osmanin është e qartë se Vuçiq nuk e do kthimin e serbëve të Kosovës në institucione sepse thotë se ishte pikërisht ai që i nxiti t’i bojkotojnë.

“Unë jam e bindur sepse ai ka gënjyer në të kaluarën dhe të njëjtën gjë bën edhe tani. Jam e bindur se ai nuk e dëshiron pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, sipas të drejtave që atyre u takojnë edhe me Kushtetutën e Kosovës, sepse është pikërisht Vuçiçi arsyeja pse ata i bojkotuan, u larguan nga këto institucione. Ishte pikërisht ai që nëpërmjet intimidimit, forcës, dhunës, i bllokoi serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme që u organizuan në komunat e veriut të Kosovës” ka thënë Osmani në një intervistë për voa në gjuhën shqipe.

Sipas Osmanit, zgjedhjet në pjesën veriore do të mbahen vitin që vjen në afat të rregullt.

“Tani, natyrisht që do të ketë zgjedhje të reja lokale, sipas afateve ligjore ato ndodhin vitin që vjen” ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)