Dështon votimi i Buxhetit të Prishtinës për vitin 2025

  • A.P /
  • 30 September 2024 - 11:46
Dështon votimi i Buxhetit të Prishtinës për vitin 2025

Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur të hënën, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025, pasi partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje lëshoi mbledhjen e sotme, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka marrë pjesë fare në këtë seancë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Asamblistë të opozitës arsyetuan vendimin duke thënë se nuk janë mbajtur dëgjime publike paraprakisht dhe se kjo e bën joligjor buxhetin e propozuar. E kryetari Përparim Rama theksoi se po bllokohen projektet e kryeqytetit për inate politike.

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka thënë se si parti nuk janë konsultuar në lidhje me buxhetin e propozuar.

Ai ka thënë se ky buxhet nuk i shërben Prishtinës por që “është buxhet zgjedhor i LDK-së i krijuar nga zyrtarë të LDK për interesat e tyre partiake”.


(Kosova Sot Online)