Vjosa Osmani uron Rutten: Me juve partneriteti me NATO-n do të forcohet
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte për marrjen zyrtare të detyrës. Ajo ka thënë se beson që gjatë udhëheqjes së tij, partneriteti me familjen euroatlantike do të forcohet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Urime Mark Rutte për marrjen zyrtarisht të detyrës si Sekretari i ri i Përgjithshëm. Jam e bindur se nën udhëheqjen tuaj, partneriteti dhe bashkëpunimi ynë do të forcohen edhe më shumë”, ka shkruar presidentja në platformën X.
Tutje e para e shtetit ka thënë se pret me padurim të punojnë së bashku drejt garantimit të paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt NATO-s.
Osmani po ashtu ka falënderuar sekretarin e deritanishëm, Jens Stoltenberg, për udhëheqjen e tij, teksa i ka uruar më të mirat në rrugëtimin e tij profesional.
Mark Rutte merr detyrën të martën si sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nga Jens Stoltenberg i Norvegjisë, hera e parë në një dekadë që posti kryesor i NATO-s do të ketë ndryshime.
(Kosova Sot Online)